Marrëveshje UART - Universiteti i Barit

Më datë 7 Mars, pranë Aula Magna të Universitetit të Barit u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Arteve dhe Universitetit të Barit “Aldo Moro”.

Marrëveshjet erdhën si rezultat i domosdoshmërisë për vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë, me synim mësimdhënien, studimet shkencore, njohjen e rëndësisë dhe përdorimit të njohurive në fushën e zhvillimit social, artistik e kulturor, etj.

Fokusi i këtyre marrëveshjeve i drejtohet nga njëra anë Bashkëpunimit Akademik dhe nga ana tjetër Shkëmbimeve dhe mobiliteteve të studentëve, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse të pjesëmarrjes së Universitetit të Arteve në një kontekst ndërkombëtarizimi të studimeve.

Marrëveshjet u nënshkruan nga Rektori i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Prof. Stefano Bronzini dhe Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Kastriot Çaushi.

Të dy Rektorët shprehën dakordësinë mbi rëndësinë e momentit të nënshkrimit të ndërsjellë të këtyre marrëveshjeve si dhe zyrtarizimit të interesit të tyre reciprok në ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Delegacioni i Universitetit të Arteve pati rastin të organizojë takime teknike dypalëshe në dobi të zbatimit teknik të marrëveshjes si dhe të mundësisë së zgjerimit të bashkëpunimit edhe me institucione të tjera, ku përfaqësues nga pala Italiane ishin Prof. Paolo Ponzio, Prof. Federico Zecca, Prof. Giovanni Madalena, dhe nga pala Shqiptare ishin Prof. Dr. Erald Bakalli, Prof. Pjetër Guralumi dhe Prof. Asoc. Alert Çeloaliaj.


FOTO GALERI

 

<<Kthehu - Tjetra>>