<

Takim FAS – DUART European Actors Platform

Më 5 Tetor 2018, në mjediset e Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve u zhvillua nje takim i Dekanit të FAS, Prof. Petrit Malaj, Znj. Sanja Drakulic – CEO e DUART European Actors Platform (http://www.castingduart.com) me qendër në Zagreb, Kroaci dhe njw grup artistwsh, pjesw e personelit akademik tw Fakultetit tw Artit Skenik.

Takimi u realizua në kuadër të strategjisë së zgjerimit të bashkëpunimeve të Universitetit të Arteve me fokus përfshirjen më të organizuar të artistëve dhe studentëve të FAS në mundësitë e reja që ofrohen përmes nismave ndërkombëtare rajonale apo dhe më gjerë.

Nga ana e Dekanit të FAS, Prof. Petrit Malaj u bë një pasqyrë e strukturës, kapaciteteve njerëzore dhe mundësive të bashkëpunimit, ndërsa nga ana e CEO-s së DUART, Znj. Sanja Drakulic, u bë një prezantim i Kompanisë DUART, qëllimeve dhe objektivave të saj, sfidat e reja të zgjerimit të aktivitetit të DUART në një hapësirë rajonale ku bën pjesë dhe Shqipëria, si edhe përfshirjes në këtë dinamikë të re të Shkollave, Akademive dhe Fakulteteve që operojnë në industrinë e filmit.

Gjatë diskutimeve të lira midis personelit akademik të Universitetit të Arteve dhe CEO-s së DUART u hodhën hipoteza bashkëpunimi në kuadër të programeve Europiane të bashkëpunimit kulturor dhe gjetjen e modaliteteve për të përfshirë studentët si edhe alumni-t e FAS në këtë platformë europiane të aktorëve.


<<KthehuTjetra>>