<

Memorandum mirëkuptimi

Universiteti i Arteve Tiranë dhe Conservatorio di Musica “Tito Schipa” Lecce, Itali firmosën sot, më 24 Janar 2019, ora 11.00 në Lektoriumin “Tonin Harapi” të Universitetit të Arteve Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit, për një bashkëpunim të qendrueshëm e të vazhdueshëm me qëllim realizimin e nismave dhe manifestimeve artistike-kulturore si dhe programeve formuese, duke vënë në dispozicion kompetencat e personelit akademik, të studentëve dhe të ekspertëve eventualë të jashtëm.

Ky memorandum u firmos nën prezencën e Ambasadës së Republikës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë të përfaqësuar nga Drejtoresha e këtij instituti, Alessandra Bertini Malgarini, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë përfaqësuar nga Sekreatarja e Parë për Çështjet Kulturore, znj.Ledia Mirakaj, nga Drejtori dhe Zv. Drejtori i Conservatorio di Musica “Tito Schipa” Lecce, Itali, Maestro Giuseppe Spedicati dhe Maestro Corrado De Bernart, Përfaqësuesi i Zyrës së Rajonit të Puglia-s në Tiranë, Claudio Polignano dhe për Universitetin e Arteve ishin të pranishëm Rektori i Universiteti të Arteve, Prof. Kastriot Çaushi, Dekani i Fakultetit të Muzikës Prof. Dr.Isak Shehu, Zv. Dekane Prof. Assoc. Merita Rexha Tërshana, Përgjegjësi i Departamentit të Interpretimit, Prof. Arben Llozi, Përgjegjësi i Sektorit të Projekteve, Prof. Pjetër Guralumi si dhe Specialiste në Zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë znjsh. Jona Kasimati.

Ky bashkëpunim parashikon si nismë fillestare projektimin dhe realizimin e një stine artistike kulturore e muzikore të quajtur FESTIVALI ITALO SHQIPTAR, i cili do të duhet të zhvillohet me një kadencë vjetore në mënyrë të alternuar si në njërin ashtu dhe në vendin tjetër.

Lidhur me këtë bashkëpunim dhe proces të ndërkombëtarizimit të studimeve pranë institucioneve firmosës së Memorandumit të Mirëkuptimit, objektivi kryesor do të kenë nisjen e procedurave për përthithjen e fondeve eventuale europiane dhe kombëtare për finalizimin e aktiviteteve të sipërshënuara.

Nismat, manifestimet artistiko-kulturore si dhe programet formuese të cilat do të zbatohen në kontekstin e kësaj Marrëveshjeje Kuadër, do të detajohen hap pas hapi me akte të tjera, të cilët do t’i bashkëngjiten këtij protokolli dhe duke u bërë pjesë e integruar e tij.
Ky protokoll mirëkuptimi do të ketë efektet e veta që nga data e nënshkrimit të tij nga të dyja palët dhe do të mbetet në fuqi për një kohëzgjatje 3 vjeçare.

Delegacioni italian realizoi edhe një vizitë njohëse në mjedise të tjera të Universitetit të Arteve, si në Sallën e Madhe të Koncerteve, Bibliotekën Shkencore, Galerinë FAB duke vlerësuar dhe nënvizuar potencialet larta të bashkëpunimit artistik e institucional si në fushën e produksionit, rrugëtimit profesional e pedagogjik si dhe të kërkimit shkencor, në dobi të studentëve të të dyja palëve.


<<Kthehu - Tjetra>>